Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan shtroi darkë për mërgimtarë

Në ambientet e Medresesë së Mesme “Alauddin” – paralelja në Gjilan, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, ka shtruar një darkë për nder të bashkatdhetarëve tanë për ta shprehur vlerësimin për kontributin e tyre për vendin në përgjithësi, e për institucionet e Bashkësisë Islame në veçanti. Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, z. Naim Aliu, në fjalën e tij të rastit, njoftoi mërgimtarët për zhvillimet dhe infrastrukturën e objekteve edukativo-fetare si dhe për aktivitetet e shoqatës humanitare Bereqeti, me ç’rast falenderoi ata për kontributin e dhënë përgjatë këtij viti. Me këtë rast u shpërndanë edhe disa mirënjohje për ndihmëtarët më të dalluar. Në emër të të ftuarve, një nga mërgimtarët e pranishëm, imami i xhamisë Oaza në Zvicër, z. Xheladin Leka, falenderoi Këshillin e Bashkësisë Islame për ftesën dhe për takimin tanimë tradicional, duke theksuar se kontributi i mërgimtarëve për Bashkësinë Islame është jo vetëm obligim, por edhe borxh që duhet të kthehet.

Agim Hyseni