Vihet gurthemeli i xhamisë së re në fshatin Uglar të Gjilanit

Të premten në prani të kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës myftiut Naim ef. Tërnava, të kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan me kryetar Naim ef. Aliu ka vur gurthemelin e xhamisë së re në fshatin Uglar.

Kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, pasi uroi banorët për fillimin e xhamisë, ka konfirmuar thellimin e bashkëpunimit në mes institucioneve të Komunës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame.

“Është gurthemeli i njërës prej shtëpive të Zotit që praktikisht secilit besimtar këtu i krijon mundësi e kushte më të mira e të dinjitetshme për praktikimin e besimit. Për mua si kryetar është shumë me rëndësi që ta thellojmë bashkëpunimin e Komunës me Këshillin e Bashkësisë Islame. Zotohem se do të jem i hapur dhe i gatshëm që të shërbejmë në të mirë të qytetarëve dhe të jemi në dispozicion të Bashkësisë Islame për çdo nevojë e projekt. Urime e ta gëzoni xhaminë”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ai tha se përmes Bashkësisë Islame ne arrijmë të përçojmë mesazhe të paqes, të tolerancës e të respektit të ndërsjelltë.

Në këtë ngjarje mesazhet e tyre i kanë dhënë edhe myftiu i Republikës, Naim Tërnava, kryetari i KBI-së në Gjilan, Naim Aliu dhe imami i xhamisë së fshatit Uglar, Burhan Zejnullahu, të cilët kanë kërkuar nga njerëzit e vullnetit të mirë që të ndihmojnë për përfundimin sa më të shpejt të kësaj xhamie.