Të nderuar besimtarë!
Vëllezër e motra!
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Jemi në vigjilje të fillimit të muajit të bekuar Ramazan, andaj më lejoni që në këtë natë të madhe, Natës së Ramazanit, t’u drejtohem të gjithë besimtarëve dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë me urimet e përgëzimet më të mira për fillimin e këtij muaji, i cili është muaj i veçantë për besimtarët myslimanë kudo që ata gjenden.
Ramazani është muaj i cili përveç të tjerash dallohet edhe me ibadetin e agjërimit, e i cili kryhet vetëm për hir të Krijuesit të gjithësisë, Allahut xh.sh., dhe vetëm Ai për këtë do ta shpërblejë besimtarin me shpërblime të veçanta.
Përmes agjërimit të muajit të madhëruar Ramazan, besimtarët myslimanë në mënyrën më të përsosur manifestojnë ndjesinë e besimit në Zotin, përgjegjësinë për t’i ndjekur e zbatuar urdhrat e mësimet e Tij, si dhe gatishmërinë për të sakrifikuar, me përkushtimin e vetëm për Krijuesin e gjithësisë.
Dimension shumë i rëndësishëm i muajit Ramazan është edhe aspekti shoqëror e social, ngase ky muaj përmes ibadetit të agjërimit, te shoqëria rrit ndjesinë e ndjeshmërinë për tjetrin, ofron familjet, farefisin e besimtarët ndërmjet vete, shton përgjegjësinë ndaj shoqërisë dhe në të njëjtën kohë e bën besimtarin më të vetëpërmbajtur, më të përgjegjshëm, më të afërt e më solidar me të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Agjërimi i muajit Ramazan është njëra ndër pesë shtyllat kryesore të fesë sonë, me të cilin besimtari shpreh përkushtimin, bindjen, sakrificën e dashurinë ndaj Krijuesit.
Për këtë, Allahu xh.sh., në Kuran thotë: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani, ai është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). Prandaj, kush e arrin prej jush këtë muaj, le të agjërojë…”
Ramazani është muaj në të cilin filloi të zbres Kurani fisnik, është muaj i paqes, mëshirës e bamirësisë.
Qëllimi i agjërimit nuk është vetëm heqja dorë nga ngrënia e pirja, nuk është për qëllim vetëm uria, por qëllimi i agjërimit është individi, familja e shoqëria, njohja e mësimeve e udhëzimeve hyjnore, bërja e njeriut më të përgjegjshëm ndaj jetës në këtë botë, si dhe të ndikojë në formimin e një shoqërie sa më të drejtë, më të përgjegjshme e më të lumtur me nimetet që Krijuesi i ka dhënë në këtë botë.
Këto vlera të muajit të bekuar Ramazan dhe ibadeti i agjërimit, marrin peshë edhe më të madhe në kohën tonë, kur njerëzimi është tunduar nga materialja dhe dinamika e jetës dhe sikur ka lënë pas dore shpirtëroren e humanen. Njerëzimi sot ka nevojë më shumë se kurrë për mësimet dhe vlerat që jep agjërimi i Ramazanit.
Besimtari që e agjëron me përkushtim e devocion muajin Ramazan, ashtu siç ka kërkuar Krijuesi i gjithësisë, do ta njoh
më mirë e më afër kuvetin e rahmetin e Allahut xh.sh., do të kuptojë më mirë e më drejt misionin e tij në këtë botë, do të dijë se pa vullnetin e Krijuesit nuk bëhet asgjë, do të jetë i përgatitur për Kadanë dhe Kaderin, e këto vlera e bëjnë besimtarin, rrethin e shoqërinë më të edukuar, më të drejtë, më të pasur, më të ngritur, më human e solidar, e mbi të gjitha më fisnik e paqësor.
Vëllezër e motra!
Edhe këtë vit, muaji Ramazan po na gjen në përballje me pandeminë Covid-19, me këtë rast, më lejoni që t’i përgëzojë të gjithë ata që janë në rreshtin e parë të përballjes me këtë virus.
Lusim Zotin që të gjithë ata që kaluan në botën tjetër t’i marrë në mëshirën e Tij, ndërsa të infektuarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë, e të tjerët, Zoti i ruajt nga prekja me këtë virus.
Përveç kësaj, është obligim ynë që ta ruajmë veten, familjen e shoqërinë nga infektimi. Ju ftoj që t’u respektoni masat anti covid, me shpresë tek i Madhi Zot që shumë shpejt edhe ne ta kemi vaksinimin e popullatës dhe kështu ta tejkalojmë edhe këtë sfidë të kohës me të cilën po përballemi qe më shumë se një
vjet.
Të dashur vëllezër e motra!
Gjatë muajit Ramazan, të bëjmë më të mirën e mundshme me ibadete, lutje, namaz, sadaka e solidaritet, me bindje e
përkushtim, që ta arrijmë kënaqësinë e Krijuesit.
Nga ne kërkohet që të jemi më të dëlirë, më të kujdesshëm, më të afërt e më të durueshëm.
Duke ju uruar mbarësi e shëndet, të gjithëve ju dëshiroj që muajin e madhëruar Ramazan ta përjetoni me të gjitha mirësitë e begatitë e tij, duke e lutur Zotin që të na lehtësojë agjërimin, të na fisnikërojë me moralin dhe etikën e agjërimit të Ramazanit.
Urime të gjithëve muaji Ramazan!
Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava