test

PO NA AFROHET KURBAN-BAJRAMI

Iljaz Mustafa, kryeimam i KBI-së Gjilan: Ja cilat janë dispozitat për Kurbanin!

Për veprën të cilën ditën e parë të Kurban-Bajramit do ta bëjnë miliona muslimanë gjithandej nëpër botë nuk ka term më të mirë se sa fjala  “kurban” apo “udhijje”. Kurban tekstualisht do të thotë t’i afrohesh dikujt apo diçkaje.

Ai i cili ther, me atë akt i afrohet Zotit tëLartësuar. Ndërsa Zoti i botëve e ka caktuar këtë ibadet sepse e do dhe e ka bërë një nga mjetet me të cilin robërit e Tij do t’i afrohen Atij. Fjala “udhijje” tekstualisht do të thotë flijim (sakrificë).Kurbani të cilin e therim është flijim të cilin ia afrojmë Zotit tonë nga falënderimi për begatitë me të cilat na ka shpërblyer.Me këtë akt ne tregojmë që për dashurinë ndaj Zotit tonë jemi të gatshëm ta sakrifikojmë pasurinë tonë dhe jemi të gatshëm për privime.

Definicioni i kurbanit

Në kuptimin terminologjik kurban do të thotë: “Therja e devesë, lopës, deles apo dhisë në ditën e bajramit, në kohë të caktuar, duke dëshiruar me këtë akt t’i afrohet Allahut të Lartësuar.”

Baza sheriatike e therjes së kurbanit

Allahu i Lartësuar në disa vende në Kur’an përmend dispozitën e kurbanit. Në suren “El-Kevther” ka thënë: “Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd….” Para imperativit për obligimin e therjes së kurbanit  I Lartësuari thekson se sa“shumë të mira“ i ka dhuruar njeriut. Kurbani të cilin e therim gjithsesi është një nga mirësitë që Ai na ka dhuruar. Duke ofruar sakrificën e kurbanit ne flijojmë kafshë dhe mirësinë që na ka dhuruar Allahu.

Në suren “El-Haxh” Allahu i Lartësuar ka thënë: “E devet (therrjen e tyre për kurban) ua kemi bërë prej dispozitave të All-llahut, e ju prej tyre keni dobi, andaj përmendeni emrin e All-llahut duke qenë ato (të përgatitura për therrje) në këmbë, e kur të shtrihen ato në tokë (dhe t’u dalë shpirti), hani prej tyre dhe ushqeni nevojtarin dhe atë që lyp. Ashtu, ato ua vëmë në shërbimin tuaj që ju të jeni mirënjohës.” Allahu na ka nënshtruar gjithçka si edhe këto kafshë që i therim në emër të Tij. Ai nga ne dëshiron ta shoh gatishmërinë për sakrificë. Ai nuk kërkon shumë nga ne, sepse tashmë na ka dhënë edhe atë që do ta flijojmë. Nga ne kërkon vetëm gatishmëri për sakrifikim. I tillë ishte shembulli i Ibrahimit a.s. të cilit, atë moment kur kishte treguar gatishmëri ta flijonte të birin e tij Ismailin a.s, Allahu i Lartësuar e dërgoi një dash të madh si zëvendësim për djalin e tij.

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Për Allahun nuk ka vepër më të dashur që mund ta bëj njeriu në ditën e bajramit se derdhja e gjakut të kurbanit. Kafsha e therur në ditën e gjykimit do të vij me brirët e saj, thundrat dhe leshin. Gjaku i kurbanit arrin deri tek Allahu (pranohet tek Allahu) para se të bie në tokë. Prandaj edhe ju iu gëzoni kurbanit.” (Ibn maxhxhe dhe Tirmidhiu).

Në hadithin tjetër Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush ka mundësi të ther kurban, e megjithatë nuk e bën këtë, le të mos i afrohet vendit ku ne falim namazin e Kurban-Bajramit.” (Ahmedi dhe Ibn Maxhxhe, “Nejlul-evtar”, 5/108)

Në bazë të këtij hadithi juristët hanefij edhe morën qëndrimin që sakrifikimi i kurbanit në ditët e bajramit është vaxhib, respektivisht, detyrë obligative për çdo musliman të pasur.

Kush është i obliguar të ther kurban?

I obliguar të ther kurban është muslimani i moshës madhore, i mençur, i lirë dhe i pasur. Me fjalët musliman i pasur mendohet në njeriun të cilit nevojat e tij të rregullta ia lejojnë ndarjen e pasurisë për therje të kurbanit. Në këtë grup bëjnë pjesë ata që kanë para për therjen e kurbanit dhe ato nuk i nevojiten për ndonjë nevojë tjetër urgjente dhe momentale. Mandej ata që kanë para dhe nuk u nevojitet për ditët e bajramit. Si edhe ata që kanë mundësi të marrin hua, mund ta bëjnë këtë me qëllim të blerjes së kurbanit, po që se kanë mundësi ta kthejnë borxhin.

Kuptimi i caktimit të kurbanit

a) Falënderimi ndaj Allahut për mirësitë me të cilat na ka shpërblyer.

Me therje të kurbanit ne sakrifikojmë një nga ni’metet (mirësitë) të cilin na e ka dhuruar Allahu i Lartësuar. Ai na jep, ndërsa ne i ofrojmë sakrificë Atij. Në këtë kuptim janë edhe fjalët e të Lartësuarit: “…hani prej tyre dhe ushqeni nevojtarin dhe atë që lyp. Ashtu, ato ua vëmë në shërbimin tuaj që ju të jeni mirënjohës. Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni All-llahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde.” (El-Haxhxh, 36-37).

b) Evokimi i kujtimit në Ibrahimin a.s. dhe të birit të tij Ismailit që na treguan shembullin e gatishmërisë për sakrificë ndaj Zotit xh.sh..

Allahu e ndërroi djalin e Ibrahimit me një kurban të madh. Në ajet thuhet: “Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm..” (Es-Saffat, 107).

c) Sigurimi i ushqimit për ditët e bajramit dhe për më vonë.

Ashtu siç njeriu ka dobi në ahiret nga therja e kurbanit, gjithashtu ka edhe në dynjallëk, që pasqyrohet në formën që vetvetës ia siguron ushqimin për vete dhe familjen për një periudhë të caktuar. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Këto janë ditët e ushqimit, pijeve dhe përmendjes së Allahut.xh.sh.”

d) Afrimi tek Allahu dhe fitimi i simpatisë së Tij.

Qëllimi i therjes së kurbanit është afrimi ndaj Allahut .Ai përkujdeset për robin e Tij dhe i dërgon mjet për afrim. Në këtë kontekst janë fjalët e të Lartësuarit: “Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve”. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër).…” (El-En’am, 162-163)

Çka mund të theret për kurban?

Si kurban mund të theret deveja, lopa, dhia dhe delja. Është kusht që deveja që theret t’i ketë së paku pesë vjet. Lopa duhet t’i ketë dy vjet dhe të ketë hyrë në vitin e tretë të jetës. Dhija duhet ta ketë një vit dhe të ketë hyrë në të dytin. Delja (dashi) duhet të ketë nje vit dhe të ketë hyrë në të dytin. Lejohet të theret edhe delja që ka gjashtë muaj nëse është e zhvilluar ndërsa nuk ka mundësi të gjendet delja që ka një vit apo më shumë. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Për kurabn therni kafshë që kanë mbushur një moshë të caktuar. Nëse nuk mund të gjeni të tilla atëherë e keni të lejuar që ta therni delen (dashin) që ka mbushur gjashtë muaj.”

Ukbe ibn Amir i ishte ankuar Pejgamberit se si delja e tij që kishte gjashtë muaj e kishte lënduar, ndërsa ai i tha: “There kurban:”

Kurban nuk lejohet të theren kafshët që kanë mangësitë në vijim:

– të sëmura në atë masë sa që vetë nuk mund të shkojnë në vendin e sakrifikimit,

– që nuk sheh apo tërësisht e verbër,

– e çalë e cila nuk mund të ecë vetëm,

– pa ndonjë bri të nxjerrur, bisht apo vesh nga rrënja,

– ajo që është tepër e dobët (zaiftë), si dhe ajo që nuk ka dhëmbë.

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kurban nuk mund të therën këto katra me sa vijon: që sheh dobët apo tërësisht e verbër, shumë e sëmurë, e çalë nuk mund të ecë vetëm dhe shumë e zaiftë sa që në eshtra nuk mund të preket mishi” (Muslimi).

Duhet ta kemi parasysh që ne kafshën të cilin pikërisht Allahu na e ka dhuruar ne Atij ia flijojmë. Pra, kafshën ia sakrifikojmë Atij që na është më i dashuri dhe të Cilin e duam më shumë se gjithçka tjetër. Ai nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Për këtë arsye ne sakrifikojmë atë që për ne është më e bukura dhe më e vlefshmja. Kësisoj bëjmë me dije që për Të jemi të gatshëm të japim më të mirën që kemi. Kurrsesi nuk mund t’ia lejojmë vetëvetës veprimin sikur disa të cilët nga tri lopë zgjedhin atë që më së paku u pëlqen, që nuk ka qumësht, që është e zaiftë dhe të cilën as ata nuk do ta merrnin po sikur t’u ofrohej. Allahu i Lartësuar ka thënë: “O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dijeni se All-llahu s’ka nevojë për ju, është i madhëruar.” (El-Bekara, 267)

Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj… (El-Haxhxh, 37)

Pejgamberi s.a.v.s. sakrifikonte dhe therte kurban më të mirat që kishte dhe kësisoj na ka treguar se, po që se duam simpatinë dhe afërsinë e Zotit tonë, për Të të sakrifikojmë cilësinë dhe të mos jemi koprrac (tahmaçar).

Nëse me rastin e blerjes kafsha nuk ka mangësi (behane), ndërsa njeriu e ka bërë nijet atë  kurban, por mandej sëmuret apo i ndodh ndonjë mangësi tjetër, nëse është i pasur do të duhej ta ndërronte, e nëse nuk ka mundësi ta dnërroj, atëherë mundet edhe e tillë. Nga Ebu Seid El-Hudri transmëtohet se ka thënë: “Kemi blerë dash për kurban. Erdhi ujku dhe e plagosi. E pyetëm Pejgamberin s.a.v.s. çfarë të bënim, ndërsa ai na tha se mund ta thernim kurban” (Ibn Maxhe).

Koha e therjes së kurbanit

Kurbani e ka kohën e vet rreptësisht të caktuar për therje. Ai theret ditën e parë të bajramit pasi të falet namazi i bajramit dhe mund të theret deri në perëndim të diellit ditën e bajramit. Nga Ber ibn Azibi transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “E para që do ta bëjmë këtë ditë është falja e namazit të kurban bajramit dhe mandej do të kthehemi dhe do ta therim kurbanin. Kush vepron kësisoj ka vepruar sipas sunnetit tonë, e kush ther kurban para kësaj kohe, ai është mish i thjeshtë të cilin ia ka  siguruar familjes së tij. Në një vepër të tillë nuk ka asgjë nga sunneti.”

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë hadithin në të cilin Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Kush ther kurban para namazit e ka sakrifikuar për vete dhe familjen e tij. E kush e ther pas namazit dhe dy hytbeve, ai plotëson dispozitën e therjes dhe ndjek sunnetin e pejgamberit a. s ”.

Është e zakonshme që te disa familje shqipëtare therja e kurbanit bëhet në vigjilie të bajramit.Atëherë therin kurban për të vdekurit. Ata mendojnë që kurbani për të vdekurit duhet të theret në vigjilie të bajramit ndërsa kurbani i rregullt theret në mëngjes në ditën e bajramit. “Kurban për të vdekurit” ashtu nuk ekziston as  therja rituale e kurbanit në vigjilie të bajramit. Të vdekurve nuk u dispozitohet kurbani dhe kur vdesin trashëgimtari i tyre nuk është i obliguar të ther kurban për ta, përveç se në rastin nëse i vdekuri e ka lënë amanet që nga pasuria e tij për çdo vit në emër të kurbanit të ndahet një pjesë e caktuar, dhe të theret kurban. Atëherë trashëgimtari duke respektuar vullnetin e të ndjerit do ta respektoj amanetin e tij. Mishi i një kurbani të tillë nuk mbahet për vete, por i tëri u shpërndahet të varfërve.

A mjafton një kurban për tërë familjen?

Nëse në një familje jetojnë më shumë anëtarë, mjafton të theret një kurban për të gjithë, njejtë siç lejohet që të gjithë anëtarët e familjes therin kurban nëse duan. Në rastin e parë shpërblimin nga një kurban e ndajnë të gjithë anëtarët e familjes. Në rastin tjetër shpërblimin për kurban e ka çdo anëtar veçënarisht. Nga Ebu Ejjub El-Ensari transmetohet se ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit të Allahut s.a.v.s. i zoti i shtpisë ka ther një kurban për tërë familjen dhe të gjithë kanë ngrënë nga ai kurban“ (Et-Tirmizi).

Bashkimi në një kurban

Është e lejuar që disa persona të bashkohen për therje të një kurbani, nëse fjala është për deve apo lopë. Delja dhe dhija theren vetëm për një person dhe nuk lejohet kooperimi (bashkimi) i disa vetave.

Nga Xhabir r.a. transmetohet se ka thënë: “Me Pejgamberin e Allahut s.a.v.s. në Hudejbi kemi therur devenë për shtatë persona dhe lopën për shtatë persona.” (Muslimi)

Të gjithë pjesëmarrësit në kurbanin e përbashkët duhet ta kenë nijetin e njejtë pse e therin kurbanin.

Mënyra e therjes së kurbanit

Muhamedi a.s. personilisht për vete ka therur kurban. As’habi i tij Xhabiri r.a., thotë: “Pasi Muhamedi a.s. falte namazin e bajramit, atëherë recitonte hytben dhe posa e përfundonte, menjëherë urdhëronte që të sjelleshin kurbanet e tij, të cilët i therte duke thënë: “Bismillahi Allahu Ekber“Në emër të Allahut (e) Allahu është më i madhi. Ky kurban është për mua dhe për ata nga trashëgimtarët e mi që nuk kan ther kurban.” Ajsheja r.a. trtansmeton se si Muhamedi a.s. therte kurbanin: “Muhamedi a.s. urdhëronte që t’ia sjellnin kurbanin në vendin ku do ta therte. Kur ia sollën një dash me brirë të mëdhenj, me këmbë dhe stomak të zi, sy të zi, kërkoi që t’ia sillnin një thikë të mprehtë. Mandej e rrëzoi dashin dhe e therri duke thënë: “Bismillahi. Allahume tekabbel min Muhamedin ve ali Muhamedin ve min ummeti Muhamedin.” “Në emër të Allahut! Zot! Ti pranoje (këtë ibadet) nga Muhamedi, familjen e tij dhe të gjithë pasuesit.”

Në përmbledhjen e Davudit thuhet se Muhamedi a.s. para therjes së kurbanit falte edhe dy rekate nafile.

Muslimanët janë të obliguar të veprojnë gjatë therjes së kurbanit ashtu siç kishte vepruar Alejhisselami.

Kurbani rrëzohet në anën e majtë, duke e kthyer sipas mundësisë drejt Kiblës, i lidhen të gjitha apo së paku tri këmbët dhe me thikë të mprehtë shpejtë priten dy damarët kyesor të gjakut si dhe laringu.

Pak para therjes duhet recituar: “Bismillahi Allahu ekber”, e sipas mundësisë edhe pak më shumë, veçënarisht atë që recitonte edhe vetë Muhamedi a.s.: “Vexhxhehtu vexhhije lilledhi feteressemavati vel erda hanifen ve ma ene minel-mushrikin. Inne salati ve nusuki ve mahjaje ve memati lillahi rabbil alemin. La sherike lehu ve bi zalike umirtu ve ene evvelul -muslimin. Allahume minke ve leke ‘an Muhamedin ve ummetihi. Bismillahi Allahu ekber.” “Kthej fytyrën time drejt Atij që ka krijuar qiejtë dhe tokën i pastër (nga çdo besim i gabuar). Unë nuk jam nga jobesimtarët. Namazi im dhe ibadetet e mia të tjera, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për hir të Allahut, Krijuesit të botëve. Ai nuk ka shok (ortak). Kjo më është urdhëruar dhe unë i nënshtrohem Atij. Zot! Ky (kurban) është për Ty, Ty ta sakrifikoj, për vete dhe ummetin tim. Në emër të Allahut. Allahu është më i madhi.”

Kush nuk di të recitoj asgjë mjafton të thotë: “Bismillahi”, po edhe nëse harron kurbani është i rregullt. Lënia anash e qëllimshme e emrit të Zotit ka për pasojë jorregullsinë e faljes, prandaj kurbani është i parregullt.

Muhamedi a.s. ua ka tërheq vërejtjen as’habëve të tij që të mos torturojnë kurbanët gjatë therjes, prandaj kishte kërkuar që përgatitjes (si p.sh. mprehja e thikave) duhet të bëhet me herët. Me rrjepjen duhet pritur gjithnjë derisa të mos jetë e sigurtë që kurbani tashmë është pa jetë dhe ka rrjedhur i tërë gjaku i cili është dashur të rrjedhte.

Si bëhet shpërndarja e mishit të kurbanit

Allahu i Lartësuar ka thënë: “…e kur të shtrihen ato në tokë (dhe t’u dalë shpirti), hani prej tyre dhe ushqeni nevojtarin dhe atë që lyp…” (El-Haxhxh, 36) Me këtë ajet kur’anor precizohen palët të cilave u shpërndahet mishi i kurbanit. Një pjesë lihet për nevojat e anëtarëve të shtëpisë, pjesa tjetër u shpërndahet fqinjve, farefisit dhe miqëve, ndërsa pjesa e tretë u ndahet të varfërve.

Lejohet që i tërë mishi i kurbanit të shpërndahet si sadaka, njejtë siç është e lejuar që i tërë mishit të mbahet për vete nëse i zoti i shtëpisë është i varfër.

Pagimi i shërbimeve të therjes

Më së miri është që njeriu po pati mundësi me dorën e vet ta ther kurbanin e tij. Mirëpo, nëse për arsye të caktuara njeriu nuk mundet ta ther vet kurbanin e tij, këtë le ta bëj dikush tjetër për të, por ai nuk mund të jetë jo musliman sipas hadithit të Pejgamberit s.a.v.s. “Kurbanin mund ta ther vetëm muslimani.” Në rast se nuk ka musliman i cili do të mund të therte lejohet që kurbanin ta ther i krishteri apo hebreji, por kurrsesi idhujtari apo ateisti. Në rast që kurbanin na e ther dikush tjetër nuk do të paguhet me mish kurbani dhe as me lëkurën e tij. Nga Aliu r.a. transmetohet se ka thënë: “Pejgamberi i Allahut s.a.v.s. më ka ngarkuar të përkujdesem rreth kurbanëve tëTij, duke më urdhëruar ta shpërndaj mishin dhe lëkurën e tij, e nga ai të mos u jap asgjë kasapëve, duke shtuar: “Ne do t’i japim nga mishi ynë!” (Buhari dhe Muslimi)

Në rast se kasapi është i varfër apo e kemi fqinj mund t’i jepet mish sikur edhe të gjithë të tjerëve që u shpërndahet nga kurbani, por jo në emër të kompensimit për therje.

Shitja e mishit të kurbanit, leshit dhe lëkurës

Është e ndaluar të shitet lëkura e kurbanit, dhjami, mishi, koka, leshi, qumështi që mjelet pas therjes, pa marrë parasysh a është ky kruban vaxhib apo vullnetar. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush shet lëkurën e kurbanit të tij, ai nuk ka kurban.” (El-Hakimi)

Është e lejueshme për pronarin e kurbanit të shërbehet me lëkurën dhe nga ajo të bëj postaçi (shtrojë) për t’u falur, apoçorapë nga leshi etj. Aisheja r.a.,nga lëkura e tij ka bërëmeshinënga i cili pihej ujë.

Nuk i lejohet ta shes lëkurën për para apo zarzavate e mandej që ai dhe familja e tij personalisht të përfitojnë nga ajo.

Praktika shumëvjeçare e muslimanëve të trojeve tona e përgjithësisht të Ballkanit është që lëkurat e kurbanëve t’ua falin Bashkësisë Islame. Ky veprim me lëkura bazohet në mësimet islame. Në të vërtetë, përveç burimeve themelore islame, ekzistojnë edhe në ato periferike që bazohen në Kur’an dhe sunnet. Nja nga ato burime është edhe — “maslehat-ul-amme” — interesi shoqëror, respektivisht. Interesi i bashkësisë. Të gjithë dijetarët islam janë të pajtimit që islami burimor kërkon vendosjen e interesave të përbashkët para atyre lokale dhe individuale. Në këtë kuptim: imam Maliku, Ebu Hanife, Shafiu dhe Ahmed b. Hanbeli si themelues të shkollave juridike kanë sjell më shumë fetva, në të cilat interesat e individëve vendosen nën interesat e bashkësisë.

Interesat dhe nevojat e Bashkësisë Islame janë të tilla sa që kërkojnë angazhim maksimal të të gjitha potencialeve materiale, që të mundësohet puna normale e institucioneve të BI-së në Kosovë mbi të cilat bazohet ekzistenca dhe zhvillimi i tutjeshëm i islamit në viset tona. Prandaj iniciativa për kurbanat dhe grumbullimin e lëkurave në Fondin e BI-së ka rëndësi afatgjate, sepse nga pikëpamja fetare jo vetëm që është e arsyeshme, por në kushtet tona edhe e domosdoshme. Numri më i madh i muslimanëve është i vetëdijshëm për këtë fakt, duke iu falënderuar vetëdijes së lartë islame dhe përgjegjësisë së madhe të imamëve tanë. Pikërisht duke iu falënderuar atyre dhe angazhimit të tyre në këtë punë, ky akcion gjithnjë e mëshumë fiton vendin dhe rëndësinë e duhur, sepse imamët, si dhe besimtarët e tjerë, thellë të vetëdijshëm se jetë fetare ka vetëm derisa ekziston Bashkësia Islame dhe që forcimi material i Bashkësisë Islame është parakusht i ekzistencës, qoftë të fesë ashtu edhe  të objekteve fetare dhe vakëfit. E veçanërisht rëndësia e kësaj praktike pasqyrohet në projektet në përkujdesjen e kategorive të rrezikuara sociale të shoqërisë sonë që Bashkësia Islame i realizon për çdo vit përmes shoqatës bamirëse Bereqeti.Kurban Bajrami përë këtë vit kushton 120 euro.

Velhamdulilahi Rabinl Alemin.