Këshilli I Bashkësisë Islame (KBI) në Gjilan, në mbledhjen e radhës të mbajtur sot duke analizuar dhe përcjellë me kujdes zhvillimet pas incidentit te shkaktuar në xhaminë e fshatit Velekincë ka dënuar edhe njëherë ashpër dëmtimin e minares në xhaminë e fshatit Velekincë që ndodhi më datë 14.08.2016 nga një pjesëtar i komunitetit serb nga fshati Pasjan.
“Ky akt vandal nuk është vetëm dëmtim i pronës dhe objektit të Bashkësisë Islame, por ky akt mizor është edhe cenim i të drejtave dhe lirive fetare e cila nxit urrejtje fetare dhe nacionale, sepse janë përdhosur simbolet shpirtërore të një feje dhe një kombi”, thuhet në reagimin e KBI-së në Gjilan.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan edhe njëherë kërkon nga organet kompetente që këtë krim ta trajtoj me seriozitetin e duhur dhe organet e rendit të marrin masat e duhura për sigurinë e objekteve fetare.
Këshilli i Bashkësisë Islame mbetet i përkushtuar që të vazhdojnë kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit në mes feve dhe kombeve, e të njëjtin përkushtim kërkojmë që ta kultivojnë edhe pjesëtarët e feve dhe kombeve tjera në Kosovë, thuhet në fund të reagimit.