Në praninë e shumë besimtarëve në xhaminë e madhe në Gjilan është falur Kurban Bajrami. Sylejman Osmani i cili ka drejtuar faljen e Kurban Bajramit ka kërkuar nga të gjithë që në këtë ditë të jenë më solidar, më të dashur, më bamirës.
Kurse, Kryeimami Ijaz Mustafa ka thënë se Festa e Kurban – Bajramit na rikujton në mënyrën më të mirë mësimet hyjnore për barazi, drejtësi, unitet, solidaritet, bamirësi e sakrificë, parime këto që bëjnë njerëzimin të reflektoj në të mirën dhe në atë që e do Krijuesi i gjithësisë. Kurban-Bajrami vjen pasi besimtarët kryejnë Haxhin dhe therin Kurbanin.
Për shkak të numrit të madh të besimtarëve falja e Kurban bajramit është bërë edhe jashtë objektit të xhamisë. Besimtar të shumtë kanë marrë pjesë në të gjitha xhamitë e Anamoravës duke u lutur për paqe, harmoni, humanizëm e bamirësi në çdo familje shqiptare.
Edhe kryemami Iljaz Mustafa është lutur dhe ka kërkuar nga besimtarët që sot të jenë human dhe që në çdo familje të reflektojë solidariteti, bamirësia kudo në familjet tona.
“Dita madhështore e festës së Kurban Bajramit, shpreh gatishmërinë dhe përkushtimin e besimtarit për sakrificë e flijim vetëm për hir të Allahut xh.sh. Festa e Kurban – Bajramit na rikujton në mënyrën më të mirë mësimet hyjnore për barazi, drejtësi, unitet, solidaritet, bamirësi e sakrificë, parime këto që bëjnë njerëzimin të reflektoj në të mirën dhe në atë që e do Krijuesi i gjithësisë. Kurban-Bajrami vjen pasi besimtarët kryejnë Haxhin dhe therin Kurbanin” ka thënë kryeimami Iljaz Mustafa.
Në Haxh besimtarët shprehin në mënyrën më të mirë barazinë e unitetin që kryhet në një atmosferë krejt të veçantë, me norma të veçanta, në kohë të caktuar dhe në vende të caktuara, ku dominon respekti e dashuria, ndërmjet të gjithëve, ku shfaqet përkushtimi ndaj Allahut xh. sh., dhe ku shprehët solidariteti mes njerëzve të vendeve e etnive të ndryshme. Sot, miliona haxhilerë ditën e kalojnë në Arafat duke lutur Zotin dhe duke shprehur përkushtimin ndaj Tij, e në këtë vend të bekuar janë edhe haxhilerët nga Republika e Kosovës e në veçanti nga Gjilanit, për të cilët lutemi që Zoti t’ua pranoj Haxhin dhe ibadetet e tyre. Festa e Kurban-Bajramit, përveç që reflekton adhurimin e Krijuesit Fuqiplotë, në vete ka edhe simbolikën e flijimit që te ne vjen nga koha e Ibrahimit a.s., e që për mision ka vlerat e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë, e mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë, sepse edhe flijimi i kurbanit që e bëjmë me këtë rast, nuk ka për qëllim vetëm derdhjen e gjakut por mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë. Allahu i Gjithëmëshirshëm na udhëzon: “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun…”.
Në këtë ditë feste e gëzimi ftojmë të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të jenë më human e solidarë, më mëshirues e tolerant, të ndihmojmë njëri – tjetrin, skamnorët, jetimët, të vetmuarit dhe të gjithë ata që kanë nevojë. Njerëzimi duhet të kultivojë vlera për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të shëndosh, për një unitet dhe vëllazëri të mirëfilltë.
Të nderuar besimtarë:
Sot, me respekt të veçantë, t’i kujtojmë të gjithë ata dëshmorë që u flijuan dhe sakrifikuan jetën e tyre për të sotmen tonë, që vendosën bazat e shtetit dhe të demokracisë sonë, dhe respekt për të gjithë ata miq që na qëndruan përkrah, në çdo kohë dhe në çdo situate.
Me këtë rast, më lejoni që në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit,dhe në emrin tim t’ju uroj festën e kurban bajramit të gjithë besimtarëve duke lutur të madhin Allah për mbarësi e begati thuhet në mesazhin e Kryeimamit të KBI-së në Gjilan Iljaz Mustafa.