Sot u bë duaja e haxhinjve nga komuna e Gjilanit

 

Sot para namazit të drekës, në xhaminë e Madhe në Gjilan, është bërë organizimi kryesor për përcjelljen e haxhinjve nga komuna e Gjilanit. Ligjëratën për rëndësinë e haxhit e mbajti Dr. Lulzim Esati, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, përderisa kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, dega në Gjilan, Naim ef. Aliu, uroi të gjithë haxhinjtë për këtë udhëtim të shenjtë duke iu dëshiruar dua të pranuara e kthim të mbarë në vendlindje.
Në këtë event, përpos haxhinjve morën pjesë edhe familjarë dhe xhematlinj të tjerë. Nga KBI Gjilan u organizua edhe një ligjëratë paradite, ku morën pjesë vetëm haxhinjtë, duke marrë udhëzimet e nevojshme dhe detyrat që duhet të kryhen për ritualin e haxhit. Duanë e haxhinjve e bëri kryeimami i KBI – Gjilan, Iljas ef. Mustafa.

Pas namazit të drekës, sekretari i KBI – Gjilan, Agim ef. Hyseni, njoftoi për numrin e përgjithshëm të haxhinjve nga Republika e Kosovës, e që është 741. Nga komuna e Gjilanit janë 66 haxhinj, 39 prej të cilëve janë burra e 27 gra. U lexuan të gjithë emrat e haxhinjve nga Gjilani dhe më pas qytetarët prezent në këtë tubim uruan haxhilerët veç e veç.

25.06.2022