Në Xhaminë e lagjes “Arbëria” në Gjilan sot u bë edhe një falje gjaku. Në prani të shumë qytetarëve, xhematit të kësaj xhamie si dhe imamit të saj dhe të kryetarit Z. Naim ef. Aliu dhe të kryeimamit z. Iljaz ef. Mustafa, të KBI-së së Gjilanit, familja e Refik Halimit nga Novo Sella me banim në këtë Lagje, fali gjakun e të birit- Familjes së Sali Ramës nga Malisheva e Gjilanit.
Kjo hasmëri lindi që para tetë viteve, pikërisht më 1 qershor të 2010. Ishte kjo një ngatërresë rasti e fëmijëve të këtyre dy familjeve e që përfundoi me fatalitet. Iniciativa për t`i pajtuar këto dy familje ishte e kahershme dhe ajo me angazhimin e pa reshtur të Kryeimamit të KBI-së së Gjilanit z. Iljaz ef. Mustafës si dhe të z. Ahmet Dakut, ish kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së për Gjilanin e tani inspektor i fatkeqësive natyrore në kuadër të komunës së Gjilanit, u kurorëzua me sukses duke arritur që gjithë të bëhet edhe falja e gjakut me që rast familja e Refik Halimit ia shtriu dorën e pajtimit familjes së Sali Ramës.
Në një fjalë rasti Kryetari i KBI-së së Gjilanit z. Naim ef. Aliu theksoi: “Më vije mirë që hoxhallarët e imamët tanë edhe tash e tutje po e vazhdojnë traditën e kolegëve të tyre të mëparshëm edhe në Pajtimin e gjaqeve, aksion ky që nuk ka pushuar së funksionuari pothuajse asnjëherë deri më tash. Në rastet e tilla janë momentet e rënda dhe njeriu vështirë të gjejë fjalë falënderimi për gjestin burrëror e trimëror të falësit të gjakut por atë e bëjnë vetëm burrat e mëdhenj dhe ata që kanë zemër të madhe. Kjo ditë është ditë gëzimi nga se afrohen dy familje dhe për këta njerëz e posaçërisht për njerëzit që falin e në këtë rast, për familjen e Refik Halimit ka shpërblim të madh nga Allahu i Madhërishëm. Jo gjithë mund të falin, por falin gjakun ata që kanë zemër të madhe dhe janë trima. Unë jam krenar theksoi Naim ef. Aliu, për punën dhe kontributin e hoxhallarëve, (në këtë rast të kryeimamit të KBI-së së Gjilanit z. Iljaz ef. Mustafa si dhe të kontribuesit tjetër z. Ahmet Daku )dhe që ata po e vazhdojnë traditën e hoxhallarëve të vjetër në dhënien e kontributit në pajtimin e ngatërresave dhe gjaqeve. Falënderoi të gjithë kontribuuesit e posaçërisht sot familjen Halimi që i shtriu dorën e pajtimit familjes Rama, potencoi në këtë rast në fjalën e tij Naim ef. Aliu, kryetar i KBI-së së Gjilanit.
Hasmëria ndër ne është një plagë e rëndë,plagë e vjetër që vështirë të “Shërohet” por ato doemos duhet të sanohen e posaçërisht kur munden të mënjanohen apo evitohen me ndërmjetësimin e atyre që kanë autoritet, namë e fjalë në rrethin ku ndodhin të njëjtat. Këtë edhe e kemi obligim si qytetar të intervenojmë ndaj ngjarjeve që sjellin ngatërresa e ato duhet mundësisht edhe të evitohen. Hoxhallarët nuk e kanë profesion pajtimin, por e kanë obligativ sikurse çdo qytetarë në dhënien e kontributit në afrimin e familjeve të ngatërruara,pajtimin e tyre në mënyrë që ngatërresat të mos eskalojnë e pastaj të përfundojnë me fatalitet.