Në prezencën e myftiut të Republikës së Kosovës, Naim Tërnava me bashkëpunëtorë dhe kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, vendoset gurthemeli për ndërtimin e xhamisë së re në hyrje të Gjilanit. Në këtë eveniment, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, z. Aliu, ka përgëzuar banorët e kësaj lagjeje për ndërtimin e xhamisë së re dhe ka falënderuar donatorët, të cilët me shumicë janë nga diaspora. Në fjalën e tij përshëndetëse, myftiu Naim Tërnava përgëzoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Gjilanit për fillimin e ndërtimit të xhamisë së 45-të në këtë komunë.
Duke folur për rëndësinë e ndërtimit të xhamive nga besimtarët, ai theksoi hadithin: “Ai i cili ndërton një xhami në këtë botë, Allahu do të ndërtojë për të një shtëpi në xhenet”. Përveç banorëve të lagjes, në këtë ngjarje morën pjesë edhe dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, Fahrush Rexhepi, drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri Bajgora, kryetarët e KBI-ve të Pejës, Vitisë dhe Kamenicës etj.
Agim Hyseni