Gënjeshtra apo sinqeriteti

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, po edhe nëse të mahnit ty shumimi i së keqes, pra kini frikë Allahun (e mos e pranoni të keqen) o ju të zotët e mendjes, ashtu që të shpëtoni! ” (El Maide , 100)

Nuk është e njëjtë, gënjeshtra dhe e vërteta, edhe pse na huton shumimi i gënjeshtrës. Për këtë ju që keni shpirt flisni të vërtetën për të qenë shëndosh. Pejgamberi s.a.s.v. ka thënë: “Përmbahuni të vërtetës, sepse e vërteta udhëzon në mirësi, ndërsa mirësia udhëzon njeriun në Xhenet…”

Pra, me qenë i sinqertë dhe me fol të vërtetën ndaj vëllait tënd bën pjesë në vlerat më të larta të Islamit që duhet të zbukurojnë besimtarin musliman. Prandaj, cilësia më e keqe është gënjeshtra dhe me qenë jo i sinqertë ndaj vëllait tënd. I pyetur “a thua mundet me qenë koprrac dhe qyqar” – Pejgamberi s.a.v.s. i është përgjigjur- “po, muslimani mundet me qenë koprrac dhe qyqar”. Por, në pyetjen a mundet me qenë gënjeshtarë”- Pejgamberi me vendosmëri është përgjigjur: “Muslimani nuk mundet me qenë gënjeshtar.”

Pra, sipas kësaj peshohet sa është ndonjëri musliman sipas të vërtetës që flet dhe sipas sinqeritetit ndaj vëllait të vet. Andaj duhet përkujtuar hadithin e Muhammedit a.s. ku thotë: “Kur muslimani e takon vëllanë e tij dhe ia shtrëngon dorën, të dy lirohen nga mëkatet sikurse pema nga gjethet e vyshkura…”, gjithashtu ka thënë: “Kur dy musliman takohen dhe ia zgjasin dorën njëri tjetrit, qindra bekime lëshohen mbi ata..”

Është e qartë, se ekzistojnë dy kushte që të lirohemi nga fatkeqësia e madhe e cila na “befason” dhe shumicën e gënjeshtrave që na “huton” – fjala e vërtetë dhe sinqeriteti me njëri tjetrin – me vëllanë tënd. Sepse gënjeshtra është fatkeqësia më e madhe në këtë botë, ngase sjellë dhimbje dhe plagë shpirtit njerëzor i cili vështirë shërohet. Marrëdhënia me jo sinqeritet dhe hipokrizi ndaj vëllait lënë njollë në zemrën e njeriut dhe vështirë pastrohet.

Për këtë me rëndësi është të themi të vërtetën, sepse në mesin tonë ka të tillë që flasin gënjeshtra për të realizuar një interes të kësaj bote

Por, është e vërtet se në mesin tonë ka të tillë që flasin të vërtetën, qoftë edhe në dëmin e tyre, por ka të tillë që janë të sinqertë në marrëdhënie me besimtarët e tjerë në punët e përditshme.

Për ne me rëndësi është të njohim dallimin në mes të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe ta përkrahim të vërtetën. Gjithashtu, obligim yni është që në çdo situatë të njohim dallimin në mes të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe ta përkrahim të vërtetën. Gjithashtu, obligim yni është që në çdo mënyrë të përhapim besimin e ndërsjellë dhe sinqeritetin ndërvëllazëror, sepse vetëm në këtë mënyrë të gjithë së bashku mund të arrijmë sukses në këtë botë dhe të shpresojmë në shpëtim në botën tjetër.

Gjendja jonë shumë varet nga besimi i brendshëm që duhet bazuar në sinqeritet të ndërsjellë, se sa nga presionet e jashtme.

Kohët ndryshojnë, po kështu edhe kushtet e ekzistimit dhe të përparimit tonë. Ndryshohet edhe karakteri i trimërisë sonë. Sot, trim është ai i cili arrin t’i afroj vëllezërit kah qëllimi i përbashkët, kush di të përhapë besimin në mes vëllezërve, kështu që të gjithë të jemi të fuqishëm në rrugën e sinqeritetit dhe të drejtësisë. Nuk është trim ai i cili përçan vëllezërit dhe përhapë mosbesim në mesin tonë.

Të gjithë duhet të dimë se sa kemi sinqeritet në mes veti, aq do të kemi harmoni dhe dinjitet, aq do të kemi harmoni dhe dinjitet në popullin tonë, në atdheun tonë.

Allah i Plotfuqishëm na forco me të vërtetën dhe na aftëso me sinqeritet ndërvëllazëror! Allah i Gjithëdijshëm na mëso ta dallojmë të vërtetën nga gënjeshtra! Allah i Gjithëmëshirshëm, na dhuro besim të ndërsjellë për të arritur sukses në këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër!