Free Porn
xbporn

Elementet e ndaluara të një kontrate sipas Islamit

Mësimet e Islamit kërkojnë mbrojtjen e njerëzve nga e keqja e ligësia dhe u shërbejnë interesave të tyre përmes përdorimit efektiv të të gjitha burimeve të dhëna nga Zoti. Këto objektiva duhet të arrihen brenda strukturës së drejtësisë, dinjitetit dhe dashamirësisë.
Mësimet e Islamit sigurojnë shpjegim dhe plan për njerëzit, që të jetojnë me të. Kontrata është elementi kryesor i transaksioneve, pa të cilën të gjitha transaksionet mbesin të anuluara dhe ligjërisht të pavlera. Ligji komercial islam ka vendosur rregulla të hollësishme për përpilimin e kontratave. Parimi udhëzues është se nuk duhet të ketë ndonjë padrejtësi dhe të praktikohet tregti/biznes ligjërisht në një mënyrë të ndershme. Ligji Islam mbi kontratat i përmend rregullat në mënyrë specifike për kontrata të ndryshme, si ligji mbi shitjen, qiradhënien, pengun dhe të tjera. Në punimet e përparshme është diskutuar rreth kontratave dhe kushteve që duhet të plotësojnë ato për të qenë të vlefshme, e në këtë punim, temë diskutimi janë elementet e ndaluara, të cilat e bëjnë një kontrate të pavlerë. Dy lloje elementesh diskutohen në këtë punim:
elementet që janë të ndaluara unanimisht, dhe elementet që janë kontestuar në mes juristëve. Pasi janë të ndërlidhura shumica e këtyre dy llojeve të elementeve, ato janë shpjeguar së bashku, jo në dy nëntituj të ndarë. Për më tepër, secili element diskutohet nën një titull, i cili i përmend edhe pajtimet dhe mospajtimet e sjella nga juristët. Këto elemente janë: detyrimi (ikrah), gabimi (galat), mashtrimi (tagrir), jokonfirmimi (gubn) dhe kontratat për gjëra të ndaluara.1

Detyrimi (ikrah)
Detyrimi (ikrah) në jurisprudencën islame është të detyrosh dikë për të bërë diçka që ai nuk e pëlqen (dëshiron), mirëpo, në mënyrë që të largohet nga një aspekt më i dëmshëm, e bën atë kundër pëlqimit të tij. Që detyrimi të jetë i pranuar nga Sheriati dhe të ketë efektin si element anulues për kontrata, duhet të plotësojë këto kushte: duhet të jetë nga personi, i cili është në gjendje të zbatojë atë qe e ka paralajmëruar apo kërcënuar; detyruesi duhet të jetë serioz në kërcënimin e tij. Detyrimi është ndarë në dy lloje: detyrim i plotë / i tërësishëm dhe detyrim i pjesshëm. Një detyrim i plotë është ai në të cilin kërcënimi ndodh për vrasje ose për shkatërrimin e ndonjë organi të trupit a ndonjë goditje (rrahje) serioze, nga e cila shkaktohet frikë për shkatërrimin e jetës ose të ndonjë organi, apo për shkatërrimin e tërë pronës së një personi ose për burgosjen e përhershme. Në anën tjetër, detyrim i pjesshëm është ai në të cilin kërcënimi për gjëra të tjera nga ato që u përmendën më lart, edhe këto janë të rënda për t’u përballuar, po nuk janë shkatërruese si në kategorinë e parë, siç është rrahja që nuk shkakton frikën për ndonjë shkatërrimi apo për shkatërrimin e ndonjë pjese të pasurisë së ndonjë
personi.2 Shumica e juristëve pohojnë që detyrimi shkakton anulimin e kontratave duke u bazuar në thënien
e Pejgamberit a.s.: “Me të vërtetë Zoti nuk e ngarkon popullin tim për atë që është bërë gabimisht, nga harresa, dhe
për gjërat që bëhen nën detyrim”. (Sunan, Ibn Maxhe) Ky hadith është dëshmi se çdo gjë që bëhet nën detyrim,
nuk konsiderohet e obliguar.
Gabimi (Galat)
Gabim, sipas jurisprudencës Islame, është një supozim për ndonjë gjë, e cila vjen në trurin e një personi, por rezulton të jetë e pasaktë. Me fjalë tjera, është ajo që përbën kundërshtim të realitetit pa qëllim. Gabimi në kontratë është se, duke ndjekur informacionet e sa, pala kontraktuese e ka të qartë se lënda e kontratës, është në kundërshtim me atë për se është kontraktuar. Ky gabim mund të jetë ose në esencën e një lënde, ose në atributin apo tiparin e saj. Për shembull, nëse një
person blen një unazë ari, por më vonë zbulohet se ajo është prej bakri, ky konsiderohet të jetë një gabim në esencën e lëndës. Në anën tjetër, nëse dikush blen një material (tekstil) duke menduar që është material me origjinë nga Anglia, por më vonë zbulohet se ai është material kinez, konsiderohet të jetë një gabim në atribut, sepse të dy materialet i përkasin një klase a një lloji.3 Në raste gabimi në esencën e lëndës, kontrata konsiderohet e pavlefshme, sepse dallimi nga lloji a
gjinia e bën lëndën joekzistuese dhe kontrata për diçka që nuk ekziston, nuk është e vlefshme. Në anën tjetër, nëse gabimi ka të bëjë me atributin, atëherë duhet të shikohet nëse përshkrimi i lëndës për ta bërë dallimin e atribut ishte si veçori në sesionin e kontraktimit. Nëse informacioni për origjinën e materialit ka munguar në sesionin e kontratës, blerësi ka të drejtë të zgjedhë nëse do ta konsiderojë të vlefshme kontratën apo ta anulojë atë. Kjo për shkak se ai ka blerë atë që nuk e ka parë. Mirëpo, nëse lënda ka qenë e tillë në kohën kur është bërë kontrata, dallimi duhet të bëhet në mes të faktit nëse atributi a veçoria kishte mundësi të shihej (qartë nga pamja apo forma), apo nuk ishte e mundur të shihej, për arsye se ajo ishte e turbullt (errët) dhe e paqartë. Nëse ka qenë e mundur të shihet e të dallohet, nga veçorit; siç janë ngjyra e madhësia, dhe, për shembull, nëse,pala kontraktuese propozon dhe i thotë pales tjetër: “Unë ta shita këtë makinë të kuqe për pesëdhjetë mijë euro”, po, në fakt, makina ishte e zezë; pastaj pala e dytë e pranon ketë ofertë, kjo kontratë konsiderohet e
vlefshme dhe e ligjshme, dhe nuk lejohet asnjë alternative tjetër për blerësin. Kjo ndodh, sepse ai nuk ka asnjë justifikim për të bërë një gabim të këtij lloji, për sa kohë do ta ketë parë makinën. Përkundrazi, nëse nuk ka qenë e mundur ta shihte, pra një makinë që ka blerë dikush me atributin se ka qenë e prodhuar në Gjermani, por më vonë zbulohet se ishte prodhuar në Brazil, blerësi do të ketë mundësi të zgjedhë, nëse do ta mbajë makinën apo të anulojë kontratën. Ky opsion quhet anulim për arsye të gabimit në atributin e tij (khiyar al-vasf).
Pabarazia (Ghubn)
Ghubn në jurisprudencën islame është pabarazi nga çmimi dhe lënda e kontratës, nga të cilat njëra bëhet më pak ose më shumë se tjetra, që nuk ishte e njohur në kohën e kontratës. Ghubn është dy llojesh: pabarazia e lehtë ose e parëndësishme (ghubn yasir), dhe pabarazia e tepërt (ghubn fahish).4
A. Standardet matëse të pabarazisë
Juristët kanë opinione të ndryshme rreth standardeve të matjes, së ç’është pabarazia e parëndësishme dhe pabarazia e tepërt. Disa juristë pohojnë se, nëse kjo pabarazi bie me juridiksionin e vlerësuesve, konsiderohet pabarazi e parëndësishme., ndërsa nëse nuk bie me juridiksionin e tyre, atëherë quhet pabarazi e tepërt. Për shembull, janë shpenzuar pesëdhjetë dollarë më shumë për të blerë një makinë, që konsiderohet si pabarazi e parëndësishme; mirëpo, nëse janë shpenzuar më tepër se pesë mijë dollarë, atëherë konsiderohet pabarazi e tepruar. Juristët e tjerë kanë përcaktuar një shumë
fikse për matjen e asaj që përbën pabarazinë e parëndësishme dhe pabarazinë e tepërt. Muhamad bin al-Hasan
al-Shaibani pohon se kjo shumë është pesë për qind e çmimit real të një sendi, dhe, nëse pabarazia është pesë për qind a më pak, konsiderohet e parëndësishme, por, nëse është më shumë, konsiderohet e madhe apo e tepërt. Ekzistojnë opinione se kjo shumë duhet të caktohet sipas çdo sendi. Sipas tij, për mallrat (‘urud) e biznesit, kjo shumë është pesë për qind e çmimit real, përderisa për kafshë është 10 për qind, dhe për tokë është 20%. Në mënyrë që të vendosë të ketë shumë/ madhësi në rrethanat aktuale, opinioni i fundit në kombinim me praktikat zakonore (të zakonshme tradicionale) të shoqërisë, është, me sa duket, më e përshtatshme për implementim.
B. Efektet e pabarazisë në kontratë
Shumica e juristëve pranojnë se pabarazia e parëndësishme nuk i prek a dëmton shumicën e kontratave. Kjo ndodh, sepse pabarazia shpesh paraqitet në transaksione financiare, dhe njerëzit e falin njëri-tjetrin për këtë shumë të vogël të pabarabartë. Mirëpo, disa kontrata, edhe pse me një shumë të vogël, konsiderohen të jenë të pavlefshme për arsye të ekzistimit të akuzës. Një shembull është kur një kujdestar legal i shet pasurinë e një jetimi me një shumë të vogël të pabarazisë një të afërmi të vet, siç mund të jenë, gruaja apo djali i tij.
Kategoria e dytë është kur një person vuan nga një sëmundje serioze, shet ose blen diçka me një shumë të vogël të pabarazisë. Në mënyrë që të ruaj të drejtën e tij të pasurisë, trashëgimtarët e tij e kanë të drejtën që, pas
vdekjes se tij, të kërkojnë anulimin e asaj shitjeje. Në anën tjetër, sipas të gjithë juristëve, pabarazia e tepruar shkakton anulimin i kontratës dhe kjo ndodh për pronat e vakëfeve dhe të shtetit, ose për pasurinë e dikujt që i e ka të ndaluar ta përdorë pasurinë e tij për arsye se është i mitur, apo i çmendur.
Mashtrimi (Tagrir)
Mashtrim në jurisprudencën Islame është kur pala kontraktuese sillet në situatë që të mendojë se është në interesin e tij për të marrë lëndën, ndonëse nuk është ashtu. Mashtrimi është dy llojesh: mashtrimi në lidhje me deklaratën (tagrir qavli) dhe mashtrimi në lidhje me veprimet (tagrir fi’li). Tagrir ndryshe quhet edhe tedlis.5
Tagrir Qavli
Tagrir Qavli ndodh kur mashtrimi i njërës nga palët kontraktuese apo përfaqësuesi i saj shtyn palën tjetër që të lidhë kontratë, edhe nëse aty ka pabarazi. Për shembull, nëse shitësi i thotë një gënjeshtër blerësit se dikush tjetër i ka propozuar atij një shumë të caktuar të çmimit për mallin e tij, dhe blerësi është shtyrë nga ky caktim për ta blerë atë nga çmimi i përmendur, ky konsiderohet të jetë një mashtrim në lidhje me deklaratën. Ky lloj mashtrimi është i ndaluar në Islam,
dhe për të mashtruesi do të dënohet në Ditën e Gjykimit. Mirëpo, kontratat nuk janë të dëmtuara dhe do të vazhdojnë të jenë të vlefshme e të ligjshme, përveç nëse ndodh një dëmtim për njërën palë kontraktuese si shkak i këtij mashtrimi. Atëherë i mashtruari do të ketë të drejtë të mbajë kontratën si kontratë të vlefshme ose ta anuloj atë.
Tagrir Fi’li
Tagrir Fi’li është mashtrimi që shfaqet kur bëhet diçka (ndonjë ndryshim) për mallin, për ta shfaqur apo për ta bërë atë në gjendjen joreale, që është në kundërshtim me realitetin. Për shembull, nëse dikush e ngjyros një fustan të vjetër për ta treguar atë si të ri, ky konsiderohet të jetë mashtrim në lidhje me veprimin. Të gjithë juristët pajtohen se, nëse ndodh ky lloj mashtrimi, do ta dëmtojë kontratën dhe e bën atë jo të ligjshme. Prandaj, i mashtruari ka të drejtë të anulojë një kontratë të tillë.
Kontratat për gjërat e ndaluara
Nuk duhet të bëhet asnjë kontratë për shitjen a blerjen e gjërave të ndaluara, siç janë alkooli, mishi i derrit apo ndonjë substancë tjetër e ndaluar. “O ju që besuat, hani nga të mirat që ju kemi dhënë, dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë E adhuroni”. (El Bekare,172)
Ajeti kuranor tregon se neve nuk na lejohet të ushqehemi nga gjërat apo ushqimet që janë të ndaluara. Dhe njëkohësisht çdo kontratë ne lidhje me këto gjëra është e pavlefshme. Gjithashtu, asnjë kontratë nuk duhet të bëhet për ndonjë marrëveshje financiare, e cila bazohet në kamatë, sepse kjo është e ndaluar rreptësisht. “O ju të cilët besuat, mos e hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin e) Allahut kështu që të gjeni shpëtim”.(Ali Imran,130) Sipas këtyre ajeteve, sikurse është ndalimi i marrjes së kamatës, çdo kontratë për investim në këto kompani dhe në këto institucione financiare, të cilat drejtojnë biznese në baza të kamatës, është gjithashtu e ndaluar. Përkundrazi, një kontratë për
investim duhet të drejtohet sipas politikave të ndarjes së fitimit dhe humbjes. Nëse ka fitim, që të dy, edhe pronari i kapitalit edhe menaxhuesi, duhet ta ndajnë atë sipas përqindjes për të cilën janë pajtuar, e jo sipas përqindjes fikse të kapitalit. Në anën tjetër, nëse ka humbje, pronari i kapitalit duhet ta pësojë atë e jo pala e dytë. Kjo sepse pala e dytë në rastin e fundit, duhet të humbë kohen dhe përpjekjet që ka dhënë në këtë veprim.

——————-
1) Razali Hj Nawawi, Islamic Law on Commercial Transactions,
Kuala Lumpur: CT Publications, 1999, f. 21. 2) Ibid.
3)Muhammad Yusuf Salim, A handbook on Fiqh for Economist,
Kuala Lumpur: IIUM, 2005, f. 23. 4) Saiful Azhar Rosly,
Critical Issues on Islamic Banking and Financial Markets, (Kuala
Lumpur: Dinamas, 2005), f. 45. 5) Ibid

 Dr. Islam Hasani Bislame.net