Delegacioni i Komunës së Gjilanit viziton Këshillin e Bashkësisë Islame për t’ua uruar Kurban Bajramin

Një delegacion i Komunës së Gjilanit, në krye me kryesuesen e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi Emini, ka vizituar sot Bashkësinë Islame për t’i uruar për festën e Kurban Bajramit, ku janë pritur nga kryeimami, Iljas Mustafa.

Kurteshi Emini ka thënë me këtë rast se Kurban Bajrami përçon mesazhin e unitetit, sakrificës, dhe solidaritetit.

“Për fat të mirë, këto elemente në shoqërinë tonë gjilanase i kemi mjaft të shprehura. Sot kemi falënderuar Bashkësinë Islame për bashkëpunimin e treguar, duke dhënë një kontribut për përmirësimin e jetës. Uroj gjithë qytetarët e Gjilanit duke iu dëshiruar mirëqenie, harmoni, jetë lumtur dhe të qetë në familje”, tha Kurteshi Emini.

Ndërkaq, kryeimani i Bashkësisë Islame në Gjilan, Iljas Mustafa, ka falënderuar delegacionin e Komunës për vizitën, sikurse edhe për bashkëpunimin e treguar në vazhdimësi./