Janë me qindra besimtarë nga Kosova që javën e ardhshme të këtij muaji do të nisen drejt vendit të shenjtë për të kryer kushtin e pestë të Islamit, Haxhin.
Edhe 76 besimtarë myslimanë të Gjilanit kanë bërë të gjitha përgatitjet e tyre për të udhëtuar në vendet e shenjta për të kryer ritualin e Haxhit, një prej pesë kushteve të fesë Islame.
Të udhëtosh për vizitën në vendet e shenjta të Mekës dhe Medinës, për besimtarët myslimanë është një ndjesi e veçantë, është një dritë shpresë, një burim frymëzimi dhe rruga e duhur për të zbutur zemra, për të lënë mënjanë mëritë, smirën dhe çdo gjë të keqe të kësaj bote, ndaj me të drejtë konsiderohet si udhëtimi i jetës.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Gjilanit sot mbajti duan e hanxhinjve në xhaminë e Madhe. Ceremoninë fetare e udhëhoqi krye imami Iljaz Mustafa. Ligjëratën e mbajti Junuz Ramadani ndërsa duanë e bëri Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Aliu.
Në këtë manifestim ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës Lutfi Haziri dhe nënkryetari Arber Ismajli.
Hanxhinjtë udhëtojnë me datën 14.08.2018. Delegacionit të hanxhinjve do ta kryesojnë kryetari i BI Naim Aliu, me bashkëpunëtorët e tij, Agim Hysenin dhe Shaban Muratin.
Përndryshe ceremonia e nisjes është gjithnjë mbresëlënëse për hanxhinjtë të cilët largohen nga vendi me lot në sy. Pas një qëndrimi që zgjat 2 javë, ndarja nga vendi i shenjtë dhe kthimi është edhe më vështirë për ta, tha në mes tjerash kryemami Mustafa.