Falënderimi i përket Allahut. Qoftë madhëruar Allahu që i krijon njerëzit të pafuqishëm dhe të dobët, dhe mandej pas dobësisë i jep fuqi, mandej në pleqëri sërish i bën të dobët dhe të pafuqishëm. Atij i përket çdo falënderim dhe Ai qoftë i adhuruar. Ai hap dyert e faljes dhe tevbes atij që i kërkon falje. Dëshmoj që nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Atë të cilin Allahu do ta udhëzoj në rrugë të vërtetë, Ai atij ia zgjeron gjoksin dhe zemrën e tij e udhëzon. Dhe dëshmoj që pejgamberi ynë Muhammedi është i Dërguar i Zotit dhe robi i Tij. Salavati dhe selamet qofshin me të, familjen e tij, as’habët e tij dhe ata që i pasojnë deri në Ditë të Gjykimit.
Allahu i Lartësuar na ka krijuar të ndryshëm. Secili nga ne ka planet e tij, shprehitë, synimet, dëshirat dhe përfundimisht qëllimin në jetë. Nuk na interesojnë gjërat e njejta në jetë. Disa nga ne e pëlqejnë sportin dhe janë anëtarë të grupeve sportive. Disa dëshirojnë që fëmijët e tyre të jenë sportistë dhe i anëtarësojnë në shoqëri dhe klube sportive. Disa më shumë pëlqejnë shkencat shoqërore, gjuhët e huaja apo artet dhe kohën e lirë të tyre dhe paratë i investojnë në edukim shtesë në atë drejtim. Të gjitha këto janë pozitive, të dëshirueshme dhe të dobishme. Të gjitha aktivitetet e numëruara janë pjesë e jetës, por edhe çështje e përzgjedhjes së lirë. Besimtarit i nevojitet dynjallëku. Allahu i Lartësuar ia ka dhënë të drejtën e shfrytëzimit të të mirave të dynjallëkut, dhe besimtari duhet t’i kushtoj rëndësi jetës së dynjallëkut. Ndërsa zoti i lartësuar thotë: „… duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë “. (El-Kasas, 77) Mirëpo, besimtari vërtetë do të duhej që më shumë të mendoj dhe investoj në ahiret se sa në dynjallëk, sepse Allahu xh.sh., thotë: „… ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar.“ (El-‘Ala,17)
Allahu, xh.sh., në Kur’ani Kerim na porositë: „Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zeqatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë “. (Et-Tevbe, 18)
Xhamia më lehtë ndërtohet ndërsa më vështirë mbahet. Sa është e rëndësishme që xhamitë të jenë të gjera, të pastra dhe të ngrohta edhe më e rëndësishme është që xhamitë të jenë plot me xhematlij, që nëpër xhami të mbahen aktivitete të cilat do të tërheqin numër sa më të madh xhematlijsh e veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve.
Në rastet më të shpeshta aktivitetet dhe programet e saj Bashkësia Islame i financon nga të ardhurat prej anëtarësisë.
Pse duhet të jemi anëtarë të Bashkësisë islame?
Argumenti i parë dhe më i rëndësishëm janë fjalët e Allahut të Lartësuar: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.“ (El-Bekare, 261)
Fjalët e Pejgamberit, a.s., dhe jeta na shtyjnë të jemi ndihmës aktiv dhe fuqizues të xhematit tonë, bashkësisë dhe aktiviteteve të saj. Pejgamberi i Allahut, Muhammedi, s.a.v.s., ka thënë: ”Ai i cili nuk ndihmon bashkësinë e muslimanëve ai nuk na përket neve (ummetit, bashkësisë së muslimanëve).”
Pejgamberi, a.s., gjithashtu ka thënë: ‘Kush nuk përkujdeset për nevojat e përgjithshme të muslimanëve ai nuk na përket neve.”
Duke iu falënderuar anëtarësisë në Bashkësinë Islame kemi xhematet e gjalla, imamë të arsimuar, xhami të pastra dhe të ngrohta, xhami që janë orientime për jetët tona, të cilat na tregojnë se ku gjendet shtëpia jonë dhe prej nga jemi, xhami të cilat dëshmojnë ekzistencën tonë shumëshekullore, nga minaret e të cilave pesë herë gjatë ditës thirret ezan.
Nga mjetet të cilat grumbullohen përmes anëtarësisë së Bashkëisë Islame organizohet e tërë jeta fetare e cila manifestohet me pesë vakte në më shumë se 40 xhami , mësimbesimi mbahet në shumicën prej tyre, për më shumë se 20 nxënës, të cilët çdo ditë para imamëve të tyre mësojnë për bukuritë e islamit dhe atë me të cilën nga obligon Allahu i Lartësuar, që nesër të jemi më të fuqishëm, më të vetëdijshëm, më të gatshëm dhe më besnik ndaj fesë dhe bashkësisë së cilës i përkasim. Mandej përmes organizimit të katedrave, tribunave, ligjëratave, promovimit të librave, Shkollës së Kur’anit për fëmijë, Shkollës së Islamit për xhematlij, hallkave të Kur’anit, kurse falas të Sufarës, gjuhëve të huaja, matematikës, informatikës si dhe aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe humanitare.
Anëtarësia Bashkësisë Islame, si dhe çdo anëtari të saj, mundëson paraqitjen institucionale të fesë sonë të lartësuar. Anëtarësia, nuk është, siç mendojnë disa fatkeqësisht, investim në vdekjen, përkundrazi, ajo ka shumë aspekte të tjera të mirëbërëjes dhe efikasitetit. Ajo është investim në jetën, si atë të dynjallëkut, ashtu edhe atë të ahiretit, atë jetën e vërtetë. Përmes anëtarësisë në Bashkësinë Islame e fuqziojmë vetëvetën dhe Bashkësinë tonë në dynjallëk, ndërsa për ahiret vetëvetës ia sigurojmë të mirën e përjetshme.
Ti hedhim poshtë stereotipet që ekzistojnë për anëtarësinë. Deri më tani shumë kanë menduar që këtë e bëjmë vetëm shkaku i vdekjes dhe xhenazes, që ta fitojmë të drejtën të na falet xhenazja.
Të mendojmë për anëtarësinë dhe anëtarësimin në Bashkësinë Islame në mënyrën që ai është kontributi ynë për organizim më të mirë dhe funkcionim të Bashkësisë anëtarë të së cilës jemi. Sepse, kjo vërtetë është kontributi ynë vjetor ndaj Bashkësisë së cilës i përkasim, por është e rëndësishme që të gjithë ta kuptojmë ashtu, ta përjetojmë dhe ta kryehmë obligimin.
Bashkësia Islame e Kosovës përfshin 900 xhami. Organet e BI sjellin aktet e nevojshme normative nga kompetencat e BI, pra edhe ato që ndërlidhen me anëtarësinë dhe anëtarësimin në Bashkësisë Islame të Kosoves. Me statut rregullohen: mënyra dhe kushtet e fitimit të statusit të anëtarit, anëtarësia, mënyra e pagimit të anëtarësisë, të drejtat e anëtarëve, humbja e statusit të anëtarit dhe çështjet e tjera që ndërlidhen me anëtarësim në Bashkësinë islame të Kosoves.
Këshilli Bashkesise Islame në mbledhjen e tij të mbajtur më 28.10.2016. mori vendim edhe për lartësinë e anëtarësisë. Me këtë vendim lartësia e anëtarësisë vjetore u caktua të jetë 4 euro për një vit. Është e rëndësishme të theksohet që anëtarësia paguhet çdo vit që të mbahet statusi i anëtarit, pavarësisht nga fitimi i mëhershëm i shkallës së lehtësimit.
Me një qasje të tillë anëtarësimit dhe anëtarësisë Këshilli i Bashkësisë Islame Gjilan dëshiron që të gjithë muslimanët, xhematlijve dhe xhematlijkeve t’ua jap rastin të marrin pjesë dhe të ndihmojnë në realizimin e jetës fetare, të marrin pjesë në punën e Bashkësisë Islame, organizimin e programeve fetare dhe kulturore, të zgjidhen në organet më të larta të Bashkësisë Islame si dhe me anëtarësinë e tyre vetvetës dhe Bashkësisë Islame t’ia lehtësojnë dhe t’u shmangen çfarëdo shpenzimeve kur është fjala për xhenaze.
Nëse nuk organizohemi si Bashkësi në mënyrën më të mirë të mundshme të tjerët këtë nuk do ta bëjnë për ne. Brenga për xhenazen nuk mundet plotësisht ta kompenzoj pakujdesinë tonë dhe mosinteresimin ndaj obligimeve fetare gjatë jetës së dynjallëkut, dhe as mosinteresimin tonë ndaj Bashkësisë së cilës i përkasim dhe nga e cila kërkojmë të na jetë në dispozicion. Ndihma e jonë dhënë Bashkësisë është investim në vetëvetën, në familjen dhe ardhmërinë e saj.
Vendet muslimane këtë çështje e kanë zgjidhur në nivel të shteteve dhe kanë themeluar ministri të cilat merren dhe mbështesin këto aktivitete. Fatkeqësisht realiteti ynë është ndryshe. Ne mbështetje të tillë shtetërore nuk kemi, dhe të gjithë ne, muslimanët, jemi minsitria jonë e cila mbështet punën e Bashkësisë Islame.
Shteti duke nacionalizuar pronat e vakëfit, pa kompensim, e ka dobësuar Bashkësinë Islame, ndërsa ky dobësim vazhdon me shtyrjen e restituimit, respektivisht kthimit të pasurisë së konfiskuar pa të drejtë nga Bashkësia Islame.
Në momentin që ndryshojnë rrethanat, kur Bashkësisë Islame tërësisht t’i kthehen vakëfet që ia janë rrëmbyer, e që Bashkësisë Islame do të mund t’ia siguronin punën normale në të gjitha segmentet e misionit që ka ajo, nga ai moment Bashkësia Islame do të mund të ndihmoj me tërë kapacitete e saj anëtarët e vetë dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë, ndërsa edhe anëtarësia në Bashkësinë Islame do të fitoj qartë kuptim dhe funkcion tjetër.
Ju ftoj të gjithëve që raportin tuaj ndaj Bashkësisë sonë Islame ta shqyrtoni. Të mendojmë se a e kemi plotësuar tërësisht obligimin tonë ndaj Bashkësisë Islame së cilës i përkasim dhe në të cilën mbështetemi gjatë tërë jetës sonë? A i shërbejmë Bashkësisë dhe muslimanëve apo për Bashkësinë na bie ndërmend vetëm kur të kemi nevojë?
Kemi profesione të ndryshme, dëshira dhe qëllime, por që të gjithë kemi një dëshirë kur është fjala për ahiretin. E dëshirojmë shpëtimin, shpërblimin e Allahut, e dëshirojmë Xhehnnetin. Që të arrijmë deri në Xhehnnet, islami nuk kërkon të heqim dorë nga dynjallëku, por kërkon që nga dynjallëku të investojmë në ahiret. Anëtarësia në Bashkësinë Islame është investim i tillë.
Zot i Lartësuar, na ndihmo të kuptojmë që përkujdesja ndaj xhamisë dhe xhematit, për Bshkësinë dhe muslimanët është përkujdesje për vetë ne dhe që ajo është vepër së cilës do t’i gëzohemi në ahiret.
Allahu ynë, kërkojmë më të mirën që kërkohet, lutemi për duanë më të mirë, për suksesin më të mirë, për veprën më të mirë, për shpërblimin më të mirë, për jetën më të mirë dhe vdekjen më të mirë. Na fuqizo dhe peshoje peshorën e veprave tona të mira. Na e fuqizo besimin dhe lartësoi shkallët tona. Na i prano namazet tona dhe na i fal mëkatet. Na i fal derexhet më të mëdha në Xhennet. Allahu ynë, të lutemi për të mirat fillestare dhe të fundit, të mirën e përgjithshme, fillimin dhe fundin e tij, formën dhe esencën e tij, dhe na i fal shkallët më të larta në Xhennet.
Allahu ynë, na e fal më të mirën me të cilën vijmë, më të mirën që punojmë, më të mirën që bëjmë, më të mirën që fshehim, më të mirën që shfaqim dhe shkallët më të larta në Xhehnnet.
Zoti ynë, na fal ne dhe prindërit tanë dhe të gjithë besimtarët në ditën kur do të jepen llogaritë! Zoti ynë, na fal grave dhe fëmijëve tanë gëzim dhe bëj që të ndershmit të na marrin shembull neve. Amin.
Tema e hytbes: E përgaditur nga Kryeimami i KBI-së Gjilan Iljaz ef Mustafa