Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune muftiun e Kosovës, Naim Tërrnava me bashkëpunëtor, me të cilin kanë bashkëbiseduar për bashkëpunimin ndërinstitucional me qëllim të zhvillimit të përbashkët të Gjilanit dhe shërbimin më të mirë ndaj qytetarëve në përgjithësi.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, në konferencën me gazetar, pas takimit ka thënë se bashkëpunimi ndër institucional është temë e përhershme mes dy institucioneve.
“Komuna e Gjilanit dhe Bashkësia Islame janë të angazhuara përmes institucioneve të shtetit dhe institucionit fetarë të Bashkësisë Islame, për të njëjtit qytetarë, megjithse dallojnë vetëm mënyra e trajtimit të tyre. Jemi duke bashkëpunuar jashtëzakonisht mirë me Bashkësinë Islame në Gjilan, e cila udhëheqë me të gjitha xhamitë dhe institucionet tjera fetare në kuadër të saj”, ka thënë Haziri.
Kryetari Haziri në këtë takim ka përmendur angazhimin që Komuna e Gjilanit ka dhënë nga këndi i saj në hapjen e rrugës ligjore për ndërtimin e xhamisë në lagjen “Baleci”, sikur që ka përmendur edhe angazhimin konkret edhe në zgjidhjen e kontesteve pronësore por edhe lëshimin e lejes së ndërtimit të objekteve fetare.
Kurse, nga ana e tij, muftiu i Kosovës, Naim Tërrnava, tha se gatishmëria e kryetarit Haziri për të bashkëpunuar është një lehtësi e madhe për ecjen tonë të fuqishme përpara drejtë realizimit të planifikimeve të BIK-ut.
“Problemit të pronës, infrastrukturës publike dhe aspekteve të tjera, Komuna e Gjilanit me kohë ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe gjithçka është gati për ndërtimin e xhamisë në lagjen “Baleci”. Mbështetja e kryetarit dhe mesazhi i tij për ligjin për bashkësitë fetare në Kosovë është mesazh i mbështetjes për të gjitha komunitetet fetare. BIK-u, me kohë ka shfaqur brengën lidhur me disa nene të këtij ligji, që nëse aprovohen kështu siç janë do të shkojnë në dëm të qështjes nacionale dhe kombëtare shqiptare në Kosovë, sepse mbetet e hapur pastaj mundësia e grupimeve të ndryshme, të sekteve të ndryshme dhe bashkësive të reja që do të shkojnë në dëmë të ardhmërisë së vendit, por edhe në dëm të ardhmërisë së përbashkët edhe ndërfetare” ka pohuar Tërrnava duke spikatur tolerancën ndërfetare.
“Toleranca ndërfetare ka ekzistuar me shekuj dhe është amanet nga të parët tanë që ta ruajmë dhe të vazhdojmë deri në përjetësi”, ka thënë në fjalën e tij muftiu Tërrnava.
Pas konferencës, kryetari i Komunës dhe muftiu i Kosovës me bashkëpunëtorë, nën shoqërimin edhe të xhematit, kanë vënë gurthemelin e ndërtimit të xhamisë në lagjen “Baleci”.