Naim Aliu në krye të BIK-ut, Haziri e uron dhe i ofron mbështetje institucionale‏

Kryetari i Komunës së Gjilanit, ka vizituar sot Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan, dhe ka uruar për detyrën e re kryetarin e sapozgjedhur, Naim Aliu, të cilit i ka ofruar mbështetje dhe bashkëpunim maksimal në të gjitha punët dhe projektet ku ka pikëprekje të drejtpërdrejtë të dy institucioneve, por edhe në punë të cilat janë për zhvillim të komunitetit fetar të cilin Aliu e udhëheqë.

02

Me këtë rast kryetari Haziri, gjatë urimit ka thënë se është në shërbim të ruajtjes së qetësisë, rritjes së bashkëpunimit, koordinim të mirë brenda BIK-ut në Gjilan, me Komunën, por edhe me bashkësitë tjera fetare të Gjilanit.

“Mbështetja e Komunës së Gjilanit për kryetarin e ri të Bashkësisë Islame në Gjilan do të jetë e vazhdueshme dhe e përhershme. Uroj që koordinimi brenda Bashkësisë Islame, por edhe me Komunën dhe bashkësitë tjera fetare, të jetë përherë në funksion të punëve të hajrit dhe në shërbim të qytetarëve tanë. Qytetarët e Gjilanit janë me vlera të larta të tolerancës fetare, këtë duhet promovuar gjithkund, por me angazhimin e mëtejmë të kryetarit të BIK-ut, të hoxhollarëve, xhematit dhe të gjithë të tjerëve me radhë kjo vlerë mund të pasurohet përherë në mënyrë që ky shembull i mirë të jetë model edhe për regjione të tjera të Kosovës”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri.

Ndërsa nga ana e tij Aliu, ka bërë të ditur për angazhimet dhe detyrat që ka marrë, duke kërkuar bashkëpunim edhe më të shtuar mes këtij institucioni fetarë dhe Komunës së Gjilanit si institucion lokal i qeverisjes./rajonipress/